“Venitja e kinematografisë shqiptare” intervistë me regjisorin Robert Budina

“Venitja e kinematografisë shqiptare” intervistë me regjisorin Robert Budina

Kinematografia Shqiptare ka patur një vrull shumë më të madh përpara shumë viteve në krahasim me ditët e sotme. Kanë ndryshuar shumë faktorë dhe shumë kanë avancuar por kjo industri është zbehur dhe disa nga arsyet na i shpjegon dhe analizon më së miri regjisori Robert Budina. Si ishte gjendja e kinematografisë Shqiptare në fillimet

Kinematografia Shqiptare ka patur një vrull shumë më të madh përpara shumë viteve në krahasim me ditët e sotme. Kanë ndryshuar shumë faktorë dhe shumë kanë avancuar por kjo industri është zbehur dhe disa nga arsyet na i shpjegon dhe analizon më së miri regjisori Robert Budina.

Si ishte gjendja e kinematografisë Shqiptare në fillimet e karrierës suaj?

Robert Budina: Atëherë që të kuptojmë se si e gjeta unë duhet të kuptojmë njëherë se si ishte. Përgjatë kohës së sistemit komunist kinematografia ishte një mjet propogande në shërbim të sistemit dhe përgjatë 50 viteve të sistemit komunist që u formua në ’52, ishte industria më e zhvilluar në Shqipëri, kishte rreth 3000 të punësuar në kinostudio dhe investimet më të mëdha të asaj kohe të shtetit komunist shkonin për kinematografinë, sepse ishte një mjet për të manipuluar ndërgjegjen e njerëzve. Me rënien e sistemit komunist kinematografia Shqiptare u gjend përballë disa vështirësive të mëdha për tu përshtatur me kinematografitë e vendeve të tjera që ishin shumë më të zhvilluara. Pse? Sepse kinematografia e shtetit komunist nuk lejonte të depërtoje thellë në probleme, pra rrinte gjithmonë në sipërfaqe.

Pra mund të themi që ishin të kufizuar?

Robert Budina: Ishin shumë të kufizuar në shprehje, por kjo nuk do të thotë që artistët e asaj kohe ishin të patalentuar, thjesht ata nuk kishin mundësitë dhe ai sistem nuk ia lejonte të bënin gjëra shumë profesionale, pra bënin gjëra të rëmdomta dhe të komunikonin me publikun për ti manipuluar.

Njëkohësisht ndryshoi shumë edhe mënyra e financimit sepse nëse në atë kohë gjithcka e financonte shteti kishte njerëz të punësuar me ardhjen e sistemit të ri të demokracisë kineastët duhet të gjenin edhe burime të tjera financimi, kështu që u zhduk pothuajse fare financimi i asaj kohe dhe kineastët që erdhën në kohën e demokracisë ju desh të bënin ligje të reja për tu përshtatur me kohën. Në vitin 1997 u krijua qendra kombëtare e kinemasë, pra u shkëput nga kinostudio Shqipëria e Re, u krijua një qendër që me financimet e shtetit (ka një buxhet të caktuar ku kineastët aplikojnë për projektet e tyre dhe projektet më të mira fitojnë për te bërë pastaj filmat shqipëtarë),njëkohësisht me ligjet e reja europiane buxheti ynë nuk mjafton,pra duhet të gjesh edhe financime të reja jashtë sepse tashmë nuk po i flet vetëm publikut shqiptar por një publiku shumë të gjerë, pra filmat duhet të kenë tema universale. Kjo është një vështirësi shumë e madhe se në kohën e diktaturës thamë që ishin të përshtatura vetëm lokalisht,duke hapur gamën kineastët shqipëtarë u gjendën përballë kësaj sfide,mirëpo në një kohë rekord kineastët si Gjergj Xhuvani, Fatmir Koci, Besnik Bisha etj, arritën që me prodhimet e tyre në një kohë shumë të shkurtër 4-5 vjet pasi u ndërtua qendra e kinemasë e re e organizimit arritën që me filmat e tyre të kapnin suksese të mëdha botërore dhe ta vinin në pah kinemanë shqiptare në një publik shumë të gjerë.Unë e kam gjetur kinemanë shqiptare pikërisht në këto hapa në vitin 2001 kur kemi filluar ndërtimin e kompanisë filmike që quhet “Era Film” dhe ishte në kohën sapo po shpërthente kjo fryma e re, por kishte kufizime të mëdhaja sepse të rinjtë e kishin shumë të vështirë të futeshin në rrjetin e kineastëve të afirmuar shqiptarë të asaj kohe sepse duhet të dimë që kinemaja e asaj kohe bëhej me film , ju sot keni telefonin, gjithkush mund të xhirojë, në atë kohë që të xhirohej dicka duhej të kishe shumë njerëz dhe shumë financime sepse gjithcka kushtonte. Ne e gjetëm në këtë kohë dhe në një lloj kuptimi e revolucionarizuam sepse ishte një brez i imi që erdhi dhe mori përsipër jo thjesht dhe vetëm të bënin vepra lokale por të gjente edhe financime jashtë shqipërisë,dhe të gjitha veprat që ne kemi bërë janë në bashkëprodhim me Francën,Gjermaninë Italinë, Kanadanë, Amerikën, pra ky ishte momenti që ne e gjetëm kinematografinë shqiptare. Tani për të kuptuar ne mund të themi që ka industri por krahimisht industria e kinematografisë shqiptare edhe me vendet e rajonit është shumë e brishtë sepse nuk ka financime që kanë vendet e tjera të rajonit për të mos shkuar pastaj më tej në europë. Ka dy forma të financimit të industrisë së kinemasë në botë. Një që është private që zotërohet në Amerikë ku nuk shihet si art kinemaja ,por shihet thjesht si produkt për tu shitur dhe kinemaja europiane e cila e sheh kinemanë si art, pra e sheh si një mjet eksperimenti, një mjet për të ruajtur traditën dhe ndërgjegjen e vendeve nga ku ajo vjen. E gjitha kjo bëhet me para publike, shtetet financojnë kineastët që ata më pas të marrin këto financime dhe të gjejnë financime private për të bërë veprat e tyre. Këto vepra janë më të pasura në ide sepse i japin mundësinë kineastëve të eksplorojnë në idetë e tyre artistike. Në shqipëri forma e financimit është e tillë që financohet vetëm nga paratë publike dhe në bashkëprodhim me shtetet e tjera.

Si mendoni ju cfarë ka ndikuar në zbehjen e kinematografisë shqiptare sot, duke marrë parasysh që edhe mundësitë janë më të shumta?

Robert Budina: Po të vijmë në këtë kohë sigurisht që cilësia është një gjë që mund të pranojë kritika, mund të themi nëse është e mirë apo e jo e mirë, por i vetmi mjet për ta matur është suksesi krahasimisht me vepra të ngjashme të fqinjëve tanë apo me të gjithë botën. Nëse e marrin në këtë kuptim filmat shqiptar me kohën e komunizmit as që nuk kishin mundësi të aplikonin për të shkuar në festivale botërore. S’kishin mundësi sepse e para nuk i lejonte shteti, e dyta po ju marr një shembull të thjeshtë nëse në shqipëri po themi bëhej i “I teti në Bronz”, në Itali Bertoluqi bënte “Konformistin”, janë dy diapazone, jo se I teti ne Bronz ishte film i keq , ishte një film sipërfaqësor që nuk mund të futej dot në thellësi, ndërsa konformisti zbërthen njeriun në 360 gradë, pra që këtu ne kemi diferencën e madhe dhe kjo kohë na dha mundësinë që ne ta eksplorojmë në po të njëjtën formë me mjetet që kemi dhe me konkurencën e madhe se sot ne duhet të konkurojmë me filma Amerikanë është njëlloj sikur ti futemi një oqeani ,por me mjetet financiare që kemi ne jemi në një varkë kartoni dhe ata janë me një anije hekuri. Në këtë kuptim kinematografia shqipare është treguar dinjitoze në këto vite shumë të vështira, sepse sot me financimet që kërkon filmi është shumë e vështirë ta mbarosh dhe në rreth 95-98% filmat shqipatrë përfundojnë. Në europë ka edhe një përqindje që këto filma nuk arrijnë dot pavarësisht se financohen duk përfundojnë dot,si rezultat i konkurencës.

Duke qenë se ju e lidhët pak temëm edhe me vendet e tjera përvec Shqipërisë, cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur ju më së shumti që veprat tuaja të njihen edhe jashtë vendit?

Robert Budina: Nuk kam patur asnjë vështirësi në fakt sepse arti ka një vecanti, ose në fakt nëse unë do isha në fillimet e mia do të thosha që ka shumë vështirësi, tani që mbase e kam kapërcyer atë hendekun mund të them se në momentin që një kineast ka një ide të mirë,ka një projekt të mirë,beson tek ai nuk ka asnjë forcë në botë që ta ndalojë mos të ketë sukses. Pra varet nga ideja që ke, varet shumë edhe nga mjetet financiare, duhet të kesh një producent që arrin ta cojë veprën përpara. Dhe po ju them një fakt, filmi im i fundit i cili doli në gjermani në vitin 2019 shkoi në 100 qytete, mblodhi 50.000 spektatorë që është një shifër 10-fish më e lartë sesa edhe për filmat gjermanë.Një nga distributorët më të mëdhenj gjermanë që kur unë i tregova idenë time erdhi dhe lexoi vetëm një fjali dhe tha nëse ti do e bësh film këtë unë të premtoj që ky film do të shikohet në të gjithë gjermaninë.Vështirësitë fillojnë më pas, kur ti paraqet projektin, kur konkuron që ka shumë projekte të tjera, mund të mos kuptohet që në momentin e pare.

Filmi juaj “Katrori i Pushtetit” flet për tre gazetarë që investigojnë krimin në politikë , a jeni stepur  për ta publikuar këtë film duke qenë se shumë industri të ndryshme në Shqipëri janë të varura nga politika?

Robert Budina: Nëse do ndiqja rrugën normale si të gjithë shtetet e tjera është e pamundur të bëhet këtu në Shqipëri, aq më tepër kur ti merr përsipër t’ju vësh gishtin në plagë, aty ku i dhëmb shoqërisë shqiptare. Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë mundësinë të financojnë nuk e bëjnë kurrë, pra që të financojnë një vepër të tillë e cila del përtej interesit të pushtetit. Dhe kjo është shumë e thjeshtë,po e nis këtu që më pas të dal se si ne arritëm të dilnim aty për ta analizuar këtë film. Televizioni në Shqipëri ose pjesa më e madhe e televizioneve janë të korruptuara, ose më saktë të themi janë në varësi të interesave te pronarëve, të cilët për të mbijetuar, duhet të bëjnë patjetër pakte me politikën sepse për mënyrën si është mekanizmi politik në Shqipëri vetëm në shërbim të publikut ata nuk do të mund të gjejnë dot kurrë para. Atëherë duhet marrë një favor nga politika, të bëjë biznese të tjera dhe ti shkojnë për shtat asaj që hedh vallen që të sigurojnë tendera, ndërtime e të tjera. Në këtë kuptim është totalisht e pamundur që ti të dalësh me një vepër problematike që prek probleme. Si erdhëm ne? Fatmirësisht ka shumë financime europiane të cilat janë të interesuara për demokracinë në shqipëri, për gazetarinë, për mediat dhe ne gjetëm një aplikim që kishte hapur Komuniteti Europian për gazetarinë investigative që pati mprehtësinë producentja e këtij projekti Sabina Kodra të aplikonte për një serial që të trajtonte gazetarinë investigative dhe përpjekjet e disa gazetarëve për të zbuluar një të vërtetë të madhe. Për këtë arsye ne kontaktuam mbi 100 ekspertë jo vetëm gazetarë por jurist, sociologjë ,psikologë, politikanë, biznesmenë, ekspertë të kriminalistikës, mjekoligjorë dhe na treguan shumë hapur të gjitha ato problematika që kanë në jetën e tyre profesionale. Duke marrë energjinë dhe problematikat e këtyre njerëzve ne e kthyem në art, pra ngjarjet që ndodhin u transformuan sipas ndërgjegjes së autorit,ajo që mendoj unë mbi realitetin.

Pra ju po thoni që producentët apo mediat në ditët e sotme janë të lirë ta publikojnë atë cfarë mendojnë?

Robert Budina: Meqë themi se mediat janë të kontrolluara atëherë pse ne arritëm ta shfaqnim në Klan, këtë nuk e di, nuk e di përse ,mbase për interesa të caktuara ju leverdis ta nxjerrin ,por në krahun tjetër duke qenë se publiku ka humbur edhe besimin tek mediat atyre ju duhet ta rifitojnë këtë besim. Mendoj që mua më kanë ndihmuar edhe eksperiencat e mia social-politike ku kam parë që edhe brenda strukturave shtetërore ka njerëz të cilët kanë ndërgjegje por nuk kanë mundësi ti shprehin. Ti i ndihmon ata që edhe ata të besojnë dicka dhe të fillojnë të kërkojnë dicka.

Le ta marrim të mirëqenë sikur ju keni përbalë një person që dëshiron në të ardhmen të bëhet regjizore, cila është këshilla juaj që do më drejtonit mua për të më inspiruar drejt kësaj rruge?

Robert Budina: Në momentin që je kurajoz, ke një objektiv, je i talentuar, i ke të gjithë ingredientët, i ke të gjitha mundësitë që askush mos të të pengojë. Për shembull shumë veta autocensurohen për një temë që do trajtojnë, nëse ti nuk kalon masën pra nuk denigron me idenë tënde, nëse ti frymëzon me idenë tënde të jesh i bindur që edhe kundërshtari yt do të të vlerësojë shumë dhe unë e kam vënë re që më kanë burgosur, më kanë gjobitur,unë kam marrë dhimbje në sytë e atyre njerëzve për vrarjen e ndërgjegjes që e dinin se nuk kishin të drejtë, po flas në kuptimin social. Në kuptimin artistik, një ide brilante nuk ka shanse që të mos vihet re, kështu që duhet guxim, kurajo, talent dhe mbi të gjitha shumë besim. Nëse janë këto ekuacioni është i zgjidhur.

Nëse do ishte në dorën tuaj, cili është ai faktor që do e ndryshonit pa menduar dy herë që kinematografia shqiptare të ngjitet sa më lart?

Robert Budina: Atëherë që ta them me sinqeritetin më të madh, në momentin që do shtohej buxheti i kinemasë edhe me shembullin që ju dhashë më përpara që përdoret një strategji e duhur dhe e qartë, suksesi në Shqipëri do të vinte në një kohë shumë të shkurtër sepse shumë të rinj shqipëtarë duke mos e njohur sistemin tërhiqen sepse ju duket si dicka e paarritur edhe pse mund të jenë vërtet të talentuar. Pra ajo që unë do bëja pa hezitim do ta pesëfishoja buxhetin e kinemasë me një kontroll rigoroz për mënyrën e shpërndarjes dhe në 4-5 vite Shqipëria do të kthehej në një minierë ari përsa i përket industrisë audio-vizive. Ky buxhet do ndikonte edhe në numrin e teknikëve për një film që të mos kishte vetëm 3 teknikë por 200.

 Çfarë është dicka që vlen në Shqipëri rreth kinematografisë?

Robert Budina: Ne si popull, si traditë, si vënd, si popullsi kemi shumë për të treguar, kemi aq shumë për të treguar saqë problemet tona nuk janë thjesht lokale por edhe universale sepse janë shumë të mprehta. Kështu që mendoj se nuk janë treguar as cereku i atyre që ne kemi, në vendet e tjera janë shumë të konsumuara dhe për të gjetur ide për filma duhet të vijnë në shqipëri të kërkojnë ngjarjet shqipatre, ndërsa ne i kemi këtu, kemi aq shumë por nuk i shfrytëzojmë. Prandaj patjetër që ja vlen sepse kinemaja është eksplorimi i shpirtit të njerëzve sepse përmbledh gjithcka , nuk përmbledh thjesht një problem anësor por thellësisht edhe është të rëndësishme sepse njerëzit janë të prirur të shikojnë më shumë ato vepra që prekin plagët e tyre dhe këtë gjë e vërteton më së miri “Katrori i Pushtetit” që ka 3-fishin e audiencës.

Intervistoi: Lulzime Manallari

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar