Kolegji Universitar “Bedër” organizon Workshop-in “Kuadri ligjor dhe gazetaria investigative”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilluan ditën e sotme workshop-in me temë: “Kuadri ligjor dhe gazetaria investigative”. Workshop-in e hapi përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili theksoi rëndësinë e workshop-eve të tilla dhe rëndësinë që ka informimi dhe media

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilluan ditën e sotme workshop-in me temë: “Kuadri ligjor dhe gazetaria investigative”. Workshop-in e hapi përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili theksoi rëndësinë e workshop-eve të tilla dhe rëndësinë që ka informimi dhe media në të mirën publike. Më tej fjalën e morën pjesëmarrësit e tjerë, të cilët ishin studiues, si dhe aktorë të medias dhe legjislacionit.

Prof. Dr. Altin Shegani, ish-Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, foli rreth gazetarisë investigative në ndihmën e proceseve gjyqësore dhe në të mirën publike. “Liria e medias dhe Ligji mbi të Drejtën e Informimit kuptohen si privilegje për gazetarët, por në fakt duhen kuptuar si informim i publikut. Media duhet të ndihmojë njerëzit në njohjen e ligjeve. Këtë gjë duhet ta bëjë vetë gazetaria”, theksoi z. Shegani.

Më tej Prof. Dr. Altin Shegani theksoi se gazetaria investigative është rruga më e mirë për të shkuar tek e vërteta, sepse nuk ka detyrim të jap detaje për burimin, ndërsa nga individët e thjeshtë kjo gjë është shumë lehtë e arritshme. Ai tha që gazetaria investigative mund të rregullojë botën, ky rregullim edhe mund të jetë maksimal, kurrë nuk mund të jetë absolut. Gjithçka vendoset në të mirë të publikut. Në fund ai e përmbylli fjalën e tij duke shprehur se e vërteta duhet thënë pse mund të na cenojë sadopak moralisht.

Ndërsa gazetari dhe studiuesi i mediave Lutfi Dervishi, shkoi përtej rolit të medias si wach-dog siç njihet zakonisht. Ai theksoi se çështja e pronësisë së medias i ndërlikon gjërat dhe pronarët e përdorin median për interesa personale. Ai u ndal gjithashtu edhe në lidhje me ligjin për të drejtën e informimit, duke theksuar se ligji nuk është miratuar specifikisht për gazetarët. “E drejta e informimit është e garantuar për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Aleksandra Bogdani, nga BIRN, e vuri theksi tek ligji i të drejtës për informim. Sipas saj ligji në vetvete është shumë i mirë, por nuk zbatohet në praktike. “Një ndër kleçkat që përdoren nga institucionet për të mos dhënë informacion është justifikimi se janë informacione të sigurisë shtetërore, hetimore apo tregtare”, tha ndër të tjera znj. Bogdani. Si pas saj, problemi qëndron se nuk ka penalitet për mosdhënien e informacionit. Zakonisht informacioni jepet në ditën e fundit dhe nga ana tjetër disa institucione pranojnë të paguajnë gjobën dhe të mos japin informacion. Kështu sipas saj, pengohet transparenca dhe informacioni shtetëror trajtohet si privat.

Ndërsa Prof. Asoc. Irma Baraku u shpreh se media është një ndihmëse e institucioneve për të dhënë dhe marrë informacion, ndërsa nga ana tjetër hasen pengesa në dhënien e informacionit për mediat nga ana e institucioneve. Sipas znj. Baraku, problem shumë i madh është edhe gjuha e urrejtjes në portalet online, jo nga shkrimet por nga komentet, kryesisht për shkaqe fetare. Ajo theksoi se proporcionaliteti është me rëndësi në përballjen e të drejtave: për informim dhe diskriminim, por edhe e drejta për të harruar, duke sjellë disa shembuj nga praktikat e punës së saj.

Alma Janka, kryeredaktore e Faktoje.al, u përqendrua në çështjen e “factcheck”, në lidhje me deklaratat e institucioneve. “Ka disa pengesa që të vështirësojnë punët: mungesa e kontakteve, mungesa e transparencës, përditësimi i të dhënave dhe arkivave online”, tha znj. Janka. Ajo shtoi se disa institucione kërkojnë edhe para për të dhënë informacion.

Nga ana tjetër Kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptar, Aleksandër Çipa përmendi dy modele redaksionale për investigim; redaksitë në media që funksionojnë veçuar nga departamentet e informacioneve dhe modeli i redaksive të pavarura. Më tej z. Çipa u shpreh se pozita formale e gazetarëve nuk është e garantuar me ligj, dhe nga ana tjetër kemi mungesa të pagave dhe sigurimeve shoqërore. “Puna në të zezë në shumë raste po riprodhohen çështje të mospagesave”.

Roden Hoxha, nga Qendra për Gazetari Cilësore, solli shembullin e Laboratorit për Gazetari Investigative. Ai tha se në redaksinë e tyre operohet me tre komponentë vendimmarrje: fenomeni, pra të merresh me problemin që është bërë fenomen dhe jo me individin; peshimi i asaj çka është e rëndësishme për publikun edhe pse dëmton dikë; vënia në dijeni e subjektit të lajmit. Ai gjithashtu theksoi se haset problem në bashkëpunim me institucionet në zbatimin e Ligjit të të Drejtës për Informim.

Më tej diskutimet vijuan me të ftuarit e tjerë dhe me pyetje nga ana e studentëve.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar