Rrugëtimi i NEWBORN-it ndër vite

Rrugëtimi i NEWBORN-it ndër vite

Është bërë tashmë një traditë që monumenti New Born në Prishtinë të ndryshojë pamjen e tij çdo vit më 17 Shkurt, ditë kjo që përkon me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. “Sivjet Monumenti NEWBORN i dedikohet grues. i kushtohet çikave tona në sport, në muzikë, në film, e në çdo fushë që po na e

Është bërë tashmë një traditë që monumenti New Born në Prishtinë të ndryshojë pamjen e tij çdo vit më 17 Shkurt, ditë kjo që përkon me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. “Sivjet Monumenti NEWBORN i dedikohet grues. i kushtohet çikave tona në sport, në muzikë, në film, e në çdo fushë që po na e zbardhin fytyrën, por mbi të gjitha, i kushtohet grave që hala sot abuzohen e vriten në shtëpi të tyne, para familjeve të tyne” – është shprehur në rrjetet e tij sociale themeluesi i këtij monumenti kulture, Fisnik Ismaili. Tema e këtij 14 vjerori, Winged Women, pra Gratë me Krahë, ka si qëllim të mbështesë e t’i trajtojë gratë barabartë, t’u japë krahë atyre duke i ndihmuar të ngrihen në çdo moment.

NEWBORN është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me një shtresë metali prej 4mm. Çdo shkronjë ka një lartësi prej tre metrash dhe peshon përafërsisht një ton. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë. Një fakt interesant është se pikturimi i këtij monumenti gjatë gjithë këtyre viteve është bërë dhge vazhdon të bëhet nga vetë qytetarët e Kosovës, të cilët, me idetë e tyre kreative janë ofruar vullnetarisht ta shndërrojnë NEWBORN-in në një element dallues tashmë të këtij shteti.

 Mesazhet e këtij monumenti ndër vite

2008: Më i madh se vetë jeta

NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u krijua në një kohë rekord brenda 11 ditëve nga autori, Fisnik Ismaili. NEWBORN-i iu shfaq qytetarëve më 17 shkurt, 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët që u nënshkruan, ishin presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Edhe pse Fisnik Ismaili e kishte të qartë idenë e jetëzimit të këtij monumenti ndër vite, ai shprehet se si pasojë e neglizhencës së autoriteteve për të formuluar një plan të qartë për mirëmbajtjen e monumentit, pamja e tij nuk ndryshoi për 5 vite.

2013: Mirënjohja

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi që NEWBORN-in ta ngjyrosë me ngjyrë të verdhë, duke rikthyer pamjen që ky monument e kishte pasur në fillim. Kjo ngjyrë është njëra nga ngjyrat e flamurit të Kosovës. I pakënaqur me këtë, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, cilët iu bashkuan në numër të madh, për t’i pikturuar të gjithë flamujt e shteteve që deri në atë vit e kishin njohur pavarësinë e Kosovës. Deri në vitin 2013, numri i shteteve që e kishin njohur Republikën e Kosovës ishte 96.

2014: Kujtim për të rënët

Në këtë përvjetor, ngjyrat e NEWBORN-it ishin si uniformat e ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Secila shkronjë u ngjyros me dizenjo ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATO-s. Në këtë formë, Kosova shprehu mirënjohjen për sakrificën e burrave dhe grave që ndihmuan në çlirimin e shtetit të tyre.

2015: Shprehu lirshëm

Në kujtim të NEWBORN-it të parë, ku njerëzit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera të përhershëm në monument, varianti i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i asaj ideje, thotë Fisnik Ismaili. Me moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, qytetarët ishin të lirë të pikturonin gjithçka që dëshironin, përveç se në shkronjën “E”, e cila mbeti e zezë duke qenë se ajo simbolizonte emigrimin masiv të qytetarëve në atë vit. Më 2015, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

2016: Izolimi

NEWBORN-i i vitit 2016 përçoi mesazhin e izolimit, pamundësinë e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si dhe çështjen globale të refugjatëve. Telat me gjemba në këtë monument ishin thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këto çështje.

2017: T’i rrëzojmë muret

Si reagim ndaj të gjitha mureve nëpër botë, si dhe murit, i cili ndërtohej në Mitrovicën e Veriut, pranë Urës së Ibrit, porosia e NEWBORN-it ishte më inovative dhe e drejtpërdrejtë. Derisa një pjesë e madhe e strukturës qëndronte e ngritur, e ngjyrosur si mur, shkronjat N dhe W u shtruan përtokë, duke qëndruar horizontalisht. Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal dhe nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës. Muri më pas u rrënua.

2018: Dekada

Në këtë vit, Kosova shënonte 10-vjetorin e pavarësisë. Shkronja B e NEWBORN-it u zëvendësua me numrin 1, i cili bashkë me shkronjën O, krijoi numrin 10. Ky numër u ngjyros me ngjyrë ari, kurse shkronjat e tjera me ngjyrë të argjendtë.

2019: Mbrojtja e tokës

NEWBORN-i i vitit 2019 i ishte kushtuar ambientit, duke qenë se ngrohja globale ishte çështje aktuale në botë. Në këtë vit, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

2020: Luftërat e pafundme

NEWBORN-i i vitit 2020 iu dedikua të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve anembanë botës. Secila shkronjë përmbante fjali që tregonin përjetimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, mendohet të jetë 20 mijë.

2021: Në përkrahje të luftës së UÇK-së

Qytetarët në vitin 2021 kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke treguar përkrahjen e tyre për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 2020, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë.

 

Përgatiti: Bora Hasmadhi

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar