Bilancet pozitive dhe miniera e akademisë: Tirana e Shehit, një pretendente për titullin kampion

Bilancet pozitive dhe miniera e akademisë: Tirana e Shehit, një pretendente për titullin kampion

Tirana po përjeton një moment pozitiv në Abissnet Superiore. Në krye të klasifikimit dhe me një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë që mbahet nga Laçi, Tirana është një nga pretendentet kryesore për të fituar titullin kampion. Skuadra e Shehit i ka dhënë sinjalet se do të jetë një ndër pretendentet kryesore për

Tirana po përjeton një moment pozitiv në Abissnet Superiore. Në krye të klasifikimit dhe me një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë që mbahet nga Laçi, Tirana është një nga pretendentet kryesore për të fituar titullin kampion.

Skuadra e Shehit i ka dhënë sinjalet se do të jetë një ndër pretendentet kryesore për të fituar kampionatin për herë të 26-të, duke u nisur nga shumë faktorë që kanë rezultuar deçizivë në arritjen e objektivave të bardhebluve. Të rrezikshëm në kundërsulme, me një taktikë që thyen çdo parashikim të kundërshtarëve.

Kështu mund të përkufizohet filozofia e ndjekur nga trajneri Shehi tek futbollistët e Tiranës. Trajneri i bardhebluve ka arritur të injektojë forcën kolektive në grup, duke i dhënë secilit lojtar hapësirën për të kontribuar në arritjet e përbashkëta të skuadrës.

Tirana është kthyer në një forcë të pathyeshme, një skuadër që kërcënon dhe rivalët e drejtpërdrejtë në luftën për të rrëmbyer trofeun më të lakmuar në futbollin shqiptar. Rezultatet e fundit janë një tjetër dëshmi se Tirana nuk mposhtet lehtë, për sa kohë dyshja Xhixha dhe Seferi janë në ditën e tyre më të mirë.

Redon Xhixha dhe Taulant Seferi, janë një dyshe e rrezikshme për mbrojtjen kundërshtare. Sa herë depërtojnë në krah, krijojnë panik në kundërsulme duke finalizuar aksione të shumta që krijojnë shokët e tyre të skuadrës. 33 gola të shënuar dhe 11 të pësuar. Sulmi dhe mbrojtja më e mirë e kampionatit janë statistikë që tregojnë për efikasitetin e bardhebluve përpara portës dhe sigurinë që shfaqin mbrojtësit në prapavijë, të cilët janë kthyer në një barrierë të pakalueshme për sulmet e kundërshtarëve.

Por cili është sekreti i bardhebluve, metoda e ndjekur nga trajneri, që tek porta deri tek sulmi.

Visar Bekaj.

Prej dy vitesh, Visar Bekaj është shndërruar në një garanci për Tiranën. I sigurt, elegant në lëvizje dhe me reflekset e një portieri të madh. I aftë dhe i kudondodhur për të pritur gjuajtjet e sulmuesve kundërshtarë, qofshin ato dhe më të rrezikshmet.

Bekaj është aty, mes katër shtyllave për të ruajtur Tiranën nga pësimi i një goli të sigurt, kur mbrojtja është thuajse e mposhtur nga depërtimet e futbollistëve kundërshtarë. Gardiani i Kosovës ka fituar besimin e trajnerit Shehi dhe shihet si një ndër elementët më të rëndësishëm të klubit bardheblu për të fituar kampionatin e rradhës.

Cilësia e mesfushës mbetet po e njëjta.

Në fillim të sezonit 2021-22, Tirana e nisi kampionatin pa titullarët e formacionit me të cilët ishin mësuar të shihnin ultrasit e tifozerisë bardheblu dhe u krijuan iluzione se skuadra nuk do të ishte më e njëjta me atë çfarë panë nën drejtimin e ish trajnerit Egbo, por kjo pritshmëri negative u zhduk sa hap e mbyll sytë, kur në gjirin e skuadrës u afruan emra të rëndësishëm, të talentuar dhe me cilësi të padiskutueshme.

U larguan Idriz Batha, Elton Cale  Agustin Torassa, Winful Cobbinah, Erando Karabeci dhe Eni Imami, ndërsa u afruan Vesel Limaj, Ennur Totre, Ëngjëll Hoti, Taulant Seferi, Redon Xhixha dhe u rikthye shtatlarti Ngoo.

Në vendin e ish-kapitenit është Limaj, një futbollist me tipare të ngjashme si Batha. Ekzekutues i saktë i goditjeve të dënimit dhe fantazist në krijimin e rasteve për shënim. Batha u largua, por Limaj ka marrë pëlqimin e ultrasve bardheblu në atë rol, duke bërë që mungesa e 29 vjeçarit të mos ndihet. Ennur Totre dhe Ëngjëll Hoti janë futbollistët e tjerë që i janë bashkuar organisës së skuadrës në merkaton e verës. Dy futbollistë me shumë cilësi në këmbë dhe të aftë për të krijuar raste për dyshen Xhixha dhe Seferi.

Krahët e sulmit. Xhixha dhe Seferi po bëjnë një punë shumë të mirë që prej ardhjes së Redonit, pas përfundimit të kontratës me Laçin. Të shkathët dhe të shpejtë në veprime. Janë të aftë për të krijuar raste të rrezikshme për shënim dhe dinë si t’i shpëtojnë mbrojtjes kundërshtare, duke u shndërruar në kërcënim serioz për portën.

Seferi kryeson momentalisht listën e golashënuesve në kampionat dhe kjo statistikë konfirmon momentin e tij të mirë që po kalon me bardheblutë, që prej transferimit nga Young Boys.

Në anën tjetër është Xhixha, një sulmues i pakapshëm në krahun e majtë sa herë që vepron pas shpinës së mbrojtjes. Ka shënuar në ndeshjet më të rëndësishme të Tiranës përballë skuadrave si Partizani, Dinamo, Teuta, Kukësi dhe Laçi, një tregues se drejtuesit kanë goditur në shenjë duke firmosur me të si futbollist i lirë.

Akademia vazhdon të furnizojë.

Çelësi i një suksesi të planifikuar tek një skuadër është cilësia që gëzon akademia e saj, ku prurjet dhe emrat e rinj duhet të mësojnë dhe të guxojnë për të fituar hapësira në ekipin e parë. Tirana, prej shumë vitesh vazhdon të furnizohet nga akademia e të rinjve.

Muçi dhe Çelhaka, tashmë të larguar drejt Polonisë, më herët kanë qenë produkt i akademisë së Tiranës dhe kanë shkëlqyer me ekipin e parë, ndërsa sot lojtarët e tjerë që po tregojnë potencialin e tyre janë Marsel Ismajlgeci, Ardit Toli dhe Ëngjëll Hoti (i rikthyer në shtëpi). Bardheblutë kanë ndërtuar një strategji të mirëfilltë, e cila ka dalë e suksesshme duke parë rezultatet dhe akademia është një ndër elementët që presidenti, drejtuesit dhe vetë trajneri kanë përdorur për t’i rikthyer traditën shumëvjeçare klubit të Tiranës.

Tirana rilind me ish-portierë.

Të gjithë e mbajnë mend ish trajnerin e Tiranës, Emmanuel Egbo, i cili më parë ka luajtur si portier në periudhën kur aktivizohej me këtë klub dhe më pas u emërua trajner i portierëve tek të rinjtë.

U emërua në një ndeshje të rëndësishme, ku fati i Tiranës ishte mes “ferrit” dhe “parajsës”. Ishte derbi i kryeqytetit dhe presidenti Halili i besoi postin e trajnerit një emri me shumë pak përvojë si Egbo. Rezultati në fund? 2-1 për Tiranën.

Pas shumë vitesh pritje, bardheblutë u rikthyen tek fitorja përballë demave të kuq dhe meritori i kësaj fitoreje ishte pikërisht e trajnerit, i cili përveçse fitoi besimin e tifozëve, siguroi të drejtën për ti udhëhequr drejt titullit kampion në 100 vjetorin e themelimit të klubit.

Sot, një tjetër ish-portier e drejton Tiranën. Jo një emër që i përket familjes së madhe bardheblu, por një emër i njohur për futbollin shqiptar si Orges Shehi. Një trajner që i përngjan stilit të Egbos në taktikën për të udhëhequr grupin drejt suksesit. Suksesi përballë rivalëve të drejtpërdrejtë ka si protagonist trajnerin Shehi, i cili ka ditur si tu nxjerrë më të mirën futbollistëve si Xhixha, Seferi, Behitrache, Bekaj dhe të tjerë.

Sot Tirana është në krye dhe gjasat janë që deri në fund të konsiderohet  kockë e fortë drejt luftës për të synuar kampionatin. Rruga është e gjatë dhe në ambientin bardheblu janë të vetëdijshëm për risqet që duhet të marrin, për të vazhduar deri në fund atë që nisën në muajin tetor.

Tiranën e pret një duel i rëndësishëm, të shtunën në mbrëmje përballë Skënderbeut në stadiumin “Air Albania”, aty ku Tirana komandon sikur të ishte në “Selman Stermasi”. Dueli nis në orën 16.45 dhe do të transmetohet eksluzivisht në ekranin e SuperSport, Digitalb.

Ermal Spahiu

Alban Tufa
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar