Rëndësia e studimeve islame pranë Kolegjit Universitar “Bedër” Mesazh Kudo në botë, aktualisht flitet për një rikthim të fesë në diskursin publik. Që ky diskutim të jetë sa më shkencor dhe të ndikojë në paqen sociale duhet që feja të njihet dhe të kuptohet. I vetmi institucion i arsimit të lartë, që ka një njësi
Rëndësia e studimeve islame pranë Kolegjit Universitar “Bedër”
Mesazh
Kudo në botë, aktualisht flitet për një rikthim të fesë në diskursin publik. Që ky diskutim të jetë sa më shkencor dhe të ndikojë në paqen sociale duhet që feja të njihet dhe të kuptohet. I vetmi institucion i arsimit të lartë, që ka një njësi kryesore të studimeve islame është Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë pranë Kolegjit Universitar “Bedër” në Tiranë.
Departamenti i Shkencave Islame jo vetëm që ofron një program modern bashkëkohor të njohjes dhe kuptimit të fesë islame dhe librit të saj “Kuranit”, por ka mbi një dekadë që përgatit specialistë në këtë fushë. Ky program ka ditur të integrohet në dialogun ndërkulturor, pjesëmarrjen e vlerave dhe qytetërimit gjithëpërfshirës, aq i domosdoshëm në kohën e konflikteve sociale.
Ky program ofron aspekte metodologjike për të kuptuar jo vetëm Islamin dhe librin e tij të shenjtë, por edhe kuptimin e feve të tjera abrahamike, siç janë hebraizmi dhe krishtërimi. Interesimi i qytetërimit evropian rreth Islamit dhe “Kuranit” famëlartë fillon shumë herët, por në shek. XVII dhe XVIII kemi dhe një shpërthim të studimeve rreth tyre. Mjafton të përmendim disa autorë që janë pika referimi edhe sot në studimet islame.
Abraham Geiger (1810-1870) u ndal në raportet e Islamit me fetë e tjera të mëdha monoteiste; Gustav Weil (1808-1889) në veprën “Hyrje historike-kritike në ‘Kuran’” (Historisch-kritische Einleitung in den Koran”, 1844) u ndal në mënyrë më të detajuar në korpusin islamik dhe lidhjet e tij me fetë a tjera. Dijetari më emblematik i kësaj periudhe ishte Theodor Nöldke (1836-1930), i cili me veprën e tij monumentale “Historia e ‘Kuranit’”, u bë një pikë e fuqishme referimi edhe në studimet më të fundit shkencore rreth këtij subjekti. Sigurisht lista është shumë e gjatë, por sjellja e këtyre autorëve dëshmon se studimi i fesë nuk mund t’i lihet spontaneitetit dhe, sidomos interpretimeve ideologjike apo politike. Aktualisht janë vendosur disa pika referimi metodologjike, epistemologjike dhe historike në studimin e fesë islame.
Programi që ofrohet në institucionin tonë nuk synon përgatitjen e katekistëve, por studiues të këtij besimi fetar, madje ai integrohet natyrshëm edhe me edukimin qytetar, pasi ky është një element i rëndësishëm në formimin e qytetarit në një republikë demokratike. Si mund të kuptohen sot “Kapela e shenjtë”, “Kodeksi i apokalipsit”, pikturat e Xhotos, Rafaelit dhe Karavaxhos, apo xhamia e Kordovës pa njohur fenë? Për më tepër, siç shprehej historiani i njohur britanik Arnold Taunbi (Arnold Toynbee), feja na paraqet një pikturë të mrekullueshme të një bote diku, të cilën njerëzit e vënë në kontrast me botën e korruptuar ku jetojnë dhe, kështu ndikon në përsosjen morale të njerëzimit.
Programi i studimit që zhvillohet në ciklin e parë “Bachelor” dhe atë të dytë “Master i shkencave” është i akredituar disa herë me sukses, ofrohet në Kolegjin Universitar “Bedër” dhe reflekton pikërisht këtë perspektivë shkencore, e cila është e domosdoshme për të kuptuar historinë e këtij besimi, por edhe historinë tone; ky program është njëherazi një reflektim i objektivave të qeverisë shqiptare për futjen e edukimit fetar edhe në shkollat publike.
Prof. Dr. Gjergj Sinani, Rektor
Bachelor në Shkenca Islame në Kolegjin Universitar Bedër
Studimi i Shkencave Islame është një rrugëtim i thellë shpirtëror, intelektual dhe profesional, i cili jo vetëm që ofron një kuptim më të plotë të fesë islame, por gjithashtu pajis studentët me dije të vlefshme për jetën personale, shoqërore dhe profesionale. Ky drejtim studimi ndërthur vlerat shpirtërore me zhvillimin akademik, duke u hapur të diplomuarve horizonte të gjera karriere në fushën fetare, edukative dhe sociale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Përmes tij, ruhet trashëgimia e pasur kulturore dhe fetare islame, ndërkohë që nxit dialogun ndërkulturor dhe aftësinë për të kontribuar pozitivisht në shoqëri.
Përmbushje shpirtërore
Studimi i Shkencave Islame, pikësëpari ju lejon të thelloni kuptimin tuaj për Islamin dhe të forconi lidhjen tuaj me Zotin. Ai ofron njohuri mbi Kuranin, Hadithin (traditën profetike) dhe Sijerin / jetën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), duke ju mundësuar të jetoni një jetë më të përmbushur shpirtërisht.
Zhvillimi personal dhe intelektual
Shkencat Islame përfshijnë një gamë të gjerë disiplinash, duke përfshirë, jurisprudencën, hadithin, tefsirin, historinë, filozofinë dhe akaidin etj. Angazhimi me këto tema nxit kuriozitetin intelektual, mpreh aftësitë e të menduarit kritik dhe nxit një vlerësim më të thellë për tërësinë e mendimit islam. Gjithashtu studimi i shkencave islame mund të çojë në rritje personale dhe vetë-përmirësim. Ky studim inkurajon vetë-reflektimin, sjelljen etike dhe kultivimin e virtyteve dhe vlerave humane.
Ruajtja e trashëgimisë
Për shumë myslimanë, studimi i Shkencave Islame është një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë kulturore dhe fetare shekullore te brezat e ardhshëm. Duke u zhytur në traditën e pasur intelektuale të Islamit, ju bëheni kujdestar i dijes dhe kontribuoni në vazhdimësinë e qytetërimit dhe mendimit islam.
Një karrierë e pasur
Studimi i shkencave islame mund të hapë gjithashtu rrugë të ndryshme karriere, duke përfshirë rolet në akademi, udhëheqjen apo lidershipin fetar, ligjëruesin, këshillimin, punën sociale, dhe shërbimin publik. Nëse ju aspironi të bëheni një studiues, një Imam, një mësues ose një organizator në komunitetit, një sfond në Shkenca Islame mund të sigurojë një bazë të fortë për realizimin e qëllimeve tuaja profesionale.
Kuptim i thellë i burimeve islame
Studimi akademik i Teologjisë Islame ofron një kuptim gjithëpërfshirës të besimeve thelbësore, doktrinave dhe koncepteve teologjike brenda Islamit. Kjo njohuri është thelbësore për individët që ndjekin karrierën si studiues fetarë, edukatorë ose udhëheqës brenda komuniteteve myslimane.
Qasje ndërdisiplinore dhe ndërkulturore
Teologjia Islame ndërthuret me disiplina të ndryshme si filozofia, etika, historia dhe jurisprudenca. Studimi i Teologjisë Islame i pajis individët me njohuri ndërdisiplinore, duke u mundësuar atyre të vlerësojnë ndërlidhjen e fushave të ndryshme të dijes dhe ta zbatojnë këtë kuptim në përpjekjet e tyre akademike dhe profesionale. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, zotërimi i njohurive të Teologjisë Islame rrit kompetencën ndërkulturore dhe shkrim-leximin ndërfetar. Të kuptuarit e bazave teologjike të Islamit nxit dialogun e ndërsjellë, ndjeshmërinë dhe lehtëson angazhimin kuptimplotë me individë me prapavijë të ndryshme fetare.
Mundësitë e punësimit
Sektori i Personelit Fetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë:
a. Myfti,
b. imam,
c. hatib (ligjërues) etj.
d. vaiz,
e. myezin
Studentët që diplomohen nga departamenti i Shkencave Islame do të kenë mundësi punësimi, së pari, në të gjitha institucionet në varësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), nga Selia Qendrore, deri në zyrat lokale në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të drejtuara nga myftinitë, si edhe në të gjitha xhamitë, kurset dhe qendrat kulturore që administrohen nga myftinjtë e rrethit përkatës.
Së dyti, studentët që diplomohen nga departamenti i Shkencave Islame mund të punësohen arsimtarë, duke filluar nga cikli shkollor 9-vjeçar, në ciklin e mesëm të medreseve, që janë institucione të KMSH-së, të cilat shtrihen në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Një tjetër mundësi punësimi është edhe si asistent kërkimor ose asistent lektor në Kolegjin Universitar “Bedër”.
Së treti, studentët që diplomohen në departamentin e Shkencave Islame te “Bedër” kanë mundësi të shumta punësimi edhe në institucione arsimore, publike dhe private, si dhe në fondacione dhe shoqata të ndryshme, etj.
Së katërti studentët që diplomohen në departamentin e Shkencave Islame kanë mundësi të punësohen si personal fetar në diasporë.
Së pesti, ata gjithashtu kanë mundësi të punësohen si punonjës të këshillimit fetar në OJQ, OJF, spitale, burgje dhe institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *