Duka, Shakohoxha apo Starova? Jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe interesi i mbarë opinionit sportiv shqiptar është tek emri që do të shpallet fituesi në garën e 2 marsit 2022. Tre emra për një karrige, e cila do t’u garantojë një mandat 4 vjeçar qeverisje. Pas 12

Duka, Shakohoxha apo Starova?

Jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe interesi i mbarë opinionit sportiv shqiptar është tek emri që do të shpallet fituesi në garën e 2 marsit 2022.

Tre emra për një karrige, e cila do t’u garantojë një mandat 4 vjeçar qeverisje. Pas 12 vitesh në pushtet, presidenti aktual Duka do të përballet me dy kandidatë interesantë, të cilët po e bëjnë këtë fushatë zgjedhore gjithnjë e më shumë të fortë. I pari është një ish gazetar dhe komentator sportiv me përvojë shumëvjeçare në ekranet e Digitalb dhe Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa I dyti një ish trajner dhe drejtor sportiv me shumë përvojë në skuadrat më në zë të kampionatit shqiptar.

Çfarë premtojnë kandidatët?

DUKA–  Presidenti Duka në këto 12 vite qeverisje të këtij institucioni ka fituar shumë në aspektin profesional. Nëse kthejmë sytë nga e kaluara, duke u fokusuar tek ngjarjet më pikante në të cilat ka kaluar Kombëtarja jonë, mund t’i bëjmë llogaritë duke i shtuar pikë për ndikimin që ka patur në momentet më të vështira, por dhe në sukseset e ekipit tonë kombëtar..

Ndeshja në stadiumin e Beogradit në tetor të vitit 2014. Aty ku futbollistët tanë panë ferrin me sy, në një stadiumin të pushtuar nga serbët, të cilët shfrenuan fantazinë duke kërkuar “gjakun” e shqiptarëve dhe duke bërë thirrjet e vazhdueshme “Kosovën është Serbi”. Askush nuk e parashikoi trazirën, madje askush nuk ndenjoi ta ndalte, duke marrë parasysh konfliktet politike dhe plagët e së kaluarës që rëndojnë edhe sot e kësaj dite. Një kasaphanë e vërtetë, të cilën nëse ia rikthen nëpër mend një tifozi shqiptar sot e ka të pamundur të përshkruajë atë ngjarje skandaloze dhe të trishtueshme.

Cili ishte roli i Dukës në të gjithë atë kaos? Është e vështirë të triumfosh në Lozanë, më saktë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, por Duka ia doli. Ndeshja në Beograd u fitua në tavolinë me rezultatin e pastër 3-0, pas një beteje të luftuar nga të dyja frontet, e cila në fund pa fitues ata që u kthyen në “pre” të dhunës serbe. Ata u ndëshkuan, si në fushë ashtu dhe jashtë saj për sjelljen e tyre të pakontrolluar dhe të turpshme,  ndërsa përballja me ta u shqyrtua si një pikë referimi nga FIFA për të parandaluar përballje mes vendeve që kanë përplasje politike dhe rrezikojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe mirëqenien e futbollistëve.

Bajrami, kuqezi në gusht të vitit 2021. Nedim Bajrami është futbollist i Kombëtares Shqiptare, por rruga e përshkruar për ti dhënë pasaportën shqiptare nuk ishte e lehtë. Duhej një betejë e gjatë ligjore, e cila përfundoi me fitore sërish në Lozanë, për ti shtuar Dukës një tjetër pikë në këto zgjedhje. Kualifikimi në Europianin e vitit 2016 ishte një sukses, i cili u arrit me Dukën në krye. Në Shqipëri do të zbresë në stadiumin “Air Albania” finalja e parë e kompeticionit më të ri europian “Liga e Konferencës”  në muajin maj të këtij viti, një tjetër fitore që mban firmën e Dukës, për këmbënguljen e tij të vazhdueshme si pjesëtari i Këshilllt Ekzekutiv të UEFA-s prej vitit 2019.

Një tjetër sukses në futbollin tonë dhe në epokën Duka është dhe instalimi i teknologjisë VAR (ndihmësi i arbitrit) në kampionatin tonë. Prej kohësh kjo teknologji në kampionatet më elitare në botë po influencon në vendimmarjet e duhura për drejtësinë në rezultate dhe një iniciativë e tillë ka mbërritur dhe në Shqipëri falë investimeve të Dukës për ti dhënë futbollit shqiptar, një verdikt të drejtë dhe të paanshëm në fushën e blerët.

SHAKOHOXHA– Kandidatura e Shakohoxhës është një risi në këto zgjedhje presidenciale. Në verën që lamë pas, ai mori pjesë në komentimin e ndeshjeve të Europianit të vitit 2021 në Radio Televizionin Shqiptar, përpara se të tërhiqej përfundimisht nga ky profesion që e ushtron prej vitesh në Shqipëri.

Shakohoxha kërkon t’i japë një frymë të re Federatës Shqiptare të Futbolllit dhe kryefjalë e projektit të tij janë fëmijët e vegjël, të cilët sipas tij nuk kanë marrë vëmendjen që kanë merituar në periudhën e qeverisjes nga presidenti aktual Duka.  Lista e premtimeve të tij fillon që tek përfshirja e 30 mijë futbollistëve nga 13 mijë që janë sot e deri tek krijimi i komplekseve sportive në secilin rajon të Republikës.

“Të rindezim pasionin për futbollin” është slogani që ka në këto zgjedhje Shakohoxha. Sipas tij, pasioni në disa vende po rrezikon të shuhet ku përqindja e atyre që luajnë futboll në vend është 0.5%, ndërkohë ky numër është shumë herë më i ulët në krahasim me vendet e tjera në Ballkan dhe Europë. Për Dritanin, përparësi do të kenë grupmoshat e reja që do të integrohen në bazë të kategorive ku do të grupohen dhe ç’është më e rëndësishmja, konkluzioni është tek Kombëtarja Shqiptare.

Shakohoxha i ka mëse të qarta planet e tij dhe beson se me të në krye të federatës, Shqipëria do të ketë më shumë mundësi në arenën sportive dhe se pasioni për futbollin do të rindizet sërish për të apasionuarit pas këtij sporti.

STAROVA– Një tjetër kandidat për tu bërë president i FSHF-së është dhe Sulejman Starova, një emër me peshë dhe influencë në futbollin shqiptar. Trajner i shumë skuadrave më në zë të kampionatit shqiptar si Tirana, Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi, ndërsa ka ushtruar dhe detyrën e drejtorit teknik tek disa prej këtyre skuadra. Starova vjen në këto zgjedhje për të provuar një eksperiencë të re, një post të ri, shumë herë më të rëndësishëm se ato që ka provuar në karrierën e tij. Ndryshe nga rivalët e tij, Starova ende nuk e ka shpallur fushatën e tij se çfarë premton të bëjë në katër vitet e ardhshme në krye të këtij institucioni, ndaj pritet me interes në ditët në vazhdim për të zbuluar idetë e tij që ka në plan ti hedh në zbatim, në rast se zgjidhet president.

Zgjedhjet në fillim të muajit mars do të përcaktojnë shumë për të ardhmen e institucionit më të rëndësishëm të sportit, për marrëdhëniet ndërkombëtare që e lidhin me organet më të mëdha të futbollit si FIFA dhe UEFA,  por ç’është më e rëndësishmja për tifozët e kombëtares, të cilët presin një rezultat demokratik dhe një emër të duhur për ti qeverisur dhe udhëhequr drejt projekteve të rëndësishme ku prioritet është përsëritja e suksesit të ngjashëm si Euro 2016 dhe mundësitë për ta bërë janë realitet duke filluar që në ndeshjet e muajit qershor për kualifkueset e Euro 2024.

Ermal Spahiu

Alban Tufa
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar