Një jetë mes ngjyrave dhe artit/ Në “shtëpinë” e piktorit, Gazment Xhaferri

Një jetë mes ngjyrave dhe artit/ Në “shtëpinë” e piktorit, Gazment Xhaferri

Mes ngjyrash e tablosh të varura në murë, piktori i mirënjohur nga Elbasani, Gazment Xhaferri ka rrëfyer copëza të jetës së tij, se si ai u rrit mes dashurisë për artin dhe prej fëmijërisë penelat u bënë shokët e tij më të mirë. Xhaferri tregon se ai u rrit mes bojërash e pikturash pasi babai

Mes ngjyrash e tablosh të varura në murë, piktori i mirënjohur nga Elbasani, Gazment Xhaferri ka rrëfyer copëza të jetës së tij, se si ai u rrit mes dashurisë për artin dhe prej fëmijërisë penelat u bënë shokët e tij më të mirë. Xhaferri tregon se ai u rrit mes bojërash e pikturash pasi babai i tij ka qenë piktor. Ai ndau copëza kujtimesh nga fëmijëria e tij, kur babai i tij i jepte penelat për t’i rregulluar, për t’i larë dhe e shihte atë gjithë kërshëri teksa vizatonte.

“Piktura te unë ka ardhur natyrshëm se kisha babain tim që ishte piktor, dhe mua dëshira për të pikturuar më erdhi natyrshëm, pasi jam rritur mes bojërave, thuajse kam ecur mbi to. Pastaj duke punuar edhe vet dëshira u rrit. Edhe në kohën e monizmit unë kam qenë piktor dhe në Greqi aty ku kam jetuar për shumë vite, për disa kohë u shkëputa nga piktura pasi bëja punë të ndryshme, por u riktheva sërish. Pas disa vitesh arrita të hapja studion time në Greqi dhe të punoja sërish. Çdo gjë arrihet me punë. Por unë e mësova më lehtë pasi e kisha mësuesin në shtëpi. Ndihmoja babin i vogël i cili ishte piktor dhe i jepja ngjyrat që i duheshin, penelat dhe ai rrjedhimisht më tërhiqte në botën e pikturës. Ai më thoshte me jep këtë ngjyrë më jep këtë penel dhe unë përfshihesha. Kisha qejf edhe vet të vizatoja, por kisha edhe profesorin në shtëpi që më jepte punë të vogla. Kështu filloi edhe te puna kur shkova, ku shkruanim citatet e Enver Hoxhës por duhet të shoqeroheshin edhe me ilustrime, figura dhe në këtë mënyrë vijojë puna ime”, shprehet Gazment Xhaferri.

I pyetur se çfarë e frymëzon atë për krijimin e pikturave, ai përgjigjet se janë peizazhet ato që i japin një emocion të veçantë.

“Natyra vetvetiu të jep shumë emocione dhe fillimet ishin të mbushura plot me emocion. Natyra të jep shumë gjëra të bukura për të parë, peizazhe të cilat i fikson dhe më pas dëshiron ti pikturosh. Kur del në natyrë dhe shikon një peizazh është  më e lehtë të frymëzohesh. Është e njëta gjë si me ndeshjet e futbollit nuk mund të krahasosh emocionet që t’i përjeton kur e shikon në stadium dhe kur e ndjek atë nga shtëpia. Në studio mund të bësh një rregullim të pikturave të peizazheve dhe normalisht kur ti je duke pikturuar në natyrë ndodhin ndryshime që ti nuk mund t’i kapësh, psh. dielli lëviz, dritëhijet ndryshojnë ndaj është e nevojshme edhe të vendosësh imagjinatën në punë”, rrëfen piktori.

Më tej, ai ka treguar se si shumë vende historike të cilat ai preferon t’i pasqyrojë në tablon e tij, si “Pazari i Vjetër” në Elbasan dhe Kalaja kanë pësuar ndryshime dhe nëpërmjet pikturave të tij njerëzit arrijnë të rikujtojnë edhe njëherë si ka qenë qyteti i Elbasanit .

“Unë nuk mund të bëj peizazhe nga mendja ime, por mundohem që këto peizazhe ti marr nga arkitektura e qyteteve që shfaqin një traditë, një identitet. Sot shumë nga qytetet kanë ndryshuar, shumë ndërtesa historike janë shembur dhe nuk kanë më atë kënaqësinë që të jepnin dikur. Edhe në Elbasan shumë prej tyre e kanë humbur pamjen e tyre të dikurshme. Unë marr pamje nga interneti shpeshherë dhe i vizatoj. Por ato janë pamje peizazhesh sepse edhe personi që blen një pikturë do të dijë se çfarë është duke blerë, çfarë është vizatuar. Kryesisht unë jam marr shumë me peizazhe urbane edhe në Greqi, në Florina ku kam jetuar, ndërtesat atje ishin të bukura si shtëpitë dhe ndërtesat në Korçë. Por, kishte shumë ndërtesa të cilat ishin shembur edhe atje dhe njerëzit i kërkonin në internet dhe kërkonin që t’i vizatoja sepse ishin nostalgjikë për to. E njëjta gjë po ndodh edhe në Elbasan, peizazhe urbane psh. brenda në Kalanë e Elbasanit ka akoma vende që mund të vizatosh, por kryesisht pjesët që janë shembur psh., Pazari i Vjetër i cili është shembur që në kohën e Enver Hoxhës, pasi do bëheshin rregullime. Ajo ishte një pjesë shumë e bukur që duhet të ruhej, por që nuk ndodhi ashtu. Brenda në kala, përsëri janë bërë ndryshime, pasi çdo shtëpi kishte një histori aty brenda dhe normalisht njerëzit kanë nostalgji tanimë për qytetin.  Sa herë që bëj ndonjë pikturë për qytetin të gjithë elbasallinjtë më thonë. “E o Gazi ç’na nxore mallin e Elbasanit të vjetër”. Këto janë piktura që tërhiqen nga njerëzit”.

Gazment Xhaferri ka treguar se nuk e imagjinon dot as edhe një ditë të jetës së tij pa pikturuar. Ai tregon i emocionuar se ai merr kënaqësi nga ato nuk mendon të bëjë as edhe një ditë pushim nga pasioni i tij.

Është e vështirë për një piktor që të përzgjedh mes veprave të tij të artit. E tillë ishte kjo përzgjedhje edhe për Gazment

Xhaferrin, i cili me vështirësi tregoi pikturën e tij të preferuar.

“Pikturat më të veçanta ato që unë punoj me kënaqësi janë ato të vendlindjes. Portreti më i veçantë për mua është ai i Isuf Myzyrit. Ai është një personazh, që ka mbajtur gjallë traditën e këngës në Elbasan. Ai e ka pasuruar traditën e qytetit, është si legjendë e këngës elbasanase. Është portret që e ka përdorur edhe një shkrimtar elbasanas në librin e tij, ku ka shkruajtur për traditën e qytetit këngët e Isuf Myzyrit dhe portetin e tij e ka përdorur si kopertinë. Ka piktorë Elbasan, por që nuk pikturojnë shumë qytetin, ndërsa unë marrë një lloj kënaqësie. Dua që dhe personi që do ta marrë atë pikturë të jetë i kënaqur”, rrëfen ai.

Më tej gjatë intervistës, piktori elbasanas tregoi sekretin që e dallon atë nga piktorët e tjerë. Sipas tij, ato çfarë i bën pikturat e tij të veçanta janë koloret që ai përdor.

“Karakteristika dalluese te pikturat e mia janë koloret. Normalisht ne duhet t’i përshtatemi kërkesave të njerëzve, pasi njerëzit kanë shije të ndryshme. Por unë mundohem të kem nga të gjitha llojet e teknikave dhe kam bërë disa piktura si baza relievesh dhe akuareli. Akuareli është një nga teknikat e mia të preferuara, që më pëlqen më shumë”, thotë Xhaferri.

Ajo që i kritikon më së tepërmi punën Gazmentit, është gruaja e tij. Ajo qëndron thuasje gjatë gjithë ditës në studion e tij dhe tashmë ka mësuar “hilet” e punës.

Në fund, artisti prej dekadash tashmë ka dhënë një mesazh për brezat e rinj që do të hyjnë në botën e magjishme të artit të të pikturuarit. Sipas tij, ata duhet të krijojnë “pasaportën” e tyre në art dhe të largohen nga riprodhimi i pikturave.

“Brezat e rinj ata që janë në hapat e parë për t’u bërë piktorë dhe ata që do të bëhen janë shumë të talentuar. Ata duhet të largohen nga riprodhimet duhet që gjithësekush të krijojë “pasaportën e vet” në art dhe padyshim të punojnë sa më shumë e mos të dorëzohen. Thonë së arti nuk të jep bukë, por kjo s’është e vërtetë se unë kam kaq vite që mbaj familjen me këtë punë”, thotë Gazment Xhaferri në një intervistë ekskluzive për CNA.al

Marsilda Putro

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar