ILDKP, kryeinspektorja Zana Xhuka pranë shkarkimit

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot raportin e grupit të kontrollit, ku i propozohet Kuvendit shkarkimi nga detyra i Inspektores së Përgjithshme të Inspektoratit të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILKDP), Zana Xhuka, e emëruar në shkelje të ligjit. Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në shqyrtimin e raportit, pasi braktisën mbledhjen më herët, duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm. Nënkryetari i komisionit, deputeti

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot raportin e grupit të kontrollit, ku i propozohet Kuvendit shkarkimi nga detyra i Inspektores së Përgjithshme të Inspektoratit të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILKDP), Zana Xhuka, e emëruar në shkelje të ligjit.

Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në shqyrtimin e raportit, pasi braktisën mbledhjen më herët, duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm. Nënkryetari i komisionit, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, para largimit nga mbledhja deklaroi se opozita nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. “Ne kemi kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shpalljen si antikushtetuese të procedurave të shkarkimit të inspektores”, tha ai, ndërsa më pas deputetët e djathtë u larguan nga mbledhja.

Në vijim, deputeti Armando Subashi, relator i çështjes, prezantoi në komision raportin e hartuar nga grupi i kontrollit, ku renditi një sërë shkaqesh, duke filluar nga procedurat e paligjshme të emërimit të znj. Xhuka në krye të ILDKP-së më 23 janar 2013, e deri tek shkeljet e konstatuara në ushtrimin e detyrës gjatë një viti.

Lidhur me procedurat e emërimit, grupi i kontrollit arrin në përfundimin se nuk janë zbatuar kriteret e arsimit ekonomi-financë dhe të vjetërsisë prej dhjetë vitesh në këtë profesion. Sipas maxhorancës, znj. Xhuka nuk i ka përmbushur kriteret në momentin e propozimit nga Presidenti, e më pas, në momentin e zgjedhjes nga Kuvendi.

“Si përfundim, grupi i deputetëve për kontrollin në ILDKP-së është i mendimit se Kuvendi i Shqipërisë, me përgjegjshmërinë e autoritetit të lartë kushtetues, për të mos lejuar delegjitimitetin e organeve të emërtesës së tij (ILDKP), por edhe me synimin për të rivendosur në vend ligjin e cenuar rëndë, ka detyrimin për të konstatuar pavlefshmërinë absolute të aktit të emërimit të znj. Zana Xhuka në detyrën e Inspektores së Përgjithshme të ILDKP më 21.01.2013″, thuhet ndër të tjera në raportin e paraqitur në komisionin e Ligjeve.

Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho deklaroi se komisioni i Ligjeve duhet t’i drejtohet organit të prokurorisë për të hetuar për shpërdorim detyre kryeinspektoren, Zana Xhuka.

Kryeinspektorja nga ana e saj, nuk ishte e pranishme në komision, ndërsa i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, ku shprehet se procedurat e ndjekura për shkarkimin e saj janë të paligjshme.

Më 12 nëntor 2013 komisioni i Ligjeve, me votat e maxhorancës, miratoi ngritjen e një grupi kontrolli të përbërë nga pesë deputetë(3 nga shumica dhe 2 nga opozita), për të ushtruar një kontroll në këtë institucion kushtetues.

Vendimi i komisionit erdhi pas ankesave të depozituara në Kuvend nga një grup punonjësish të ILDKP-së, të cilët  parashtruan shqetësime serioze lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte, nga komisioni i Ligjeve u pa e nevojshme që problematikat e ngritura të verifikohen dhe të trajtohen nga ana e Kuvendit, si një organ që me ligj ngarkohet të monitorojë ILDKP-në.

Por, opozita nga ana e saj e kundërshtoi kontrollin parlamentar ndaj Inspektoratit, duke e konsideruar si një  tentativë të maxhorancës për të kapur dhe kontrolluar institucionet e pavarura.

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar