Autor: Xhuana Hida Ishte një ditë prilli si gjithë të tjerat. Po ktheheshim nga TEG-u drejt shtëpisë me autobusin e Saukut. Udhëtimi po shkonte normalisht, me ato zhurmat dhe lëvizjet e zakonshme që shoqërojnë çdo ditë në transportin publik. Por gjithçka ndryshoi në momentin kur autobusi ndaloi në stacionin pranë rrethrrotullimit të Saukut… dhe nuk
Autor: Xhuana Hida
Ishte një ditë prilli si gjithë të tjerat. Po ktheheshim nga TEG-u drejt shtëpisë me autobusin e Saukut. Udhëtimi po shkonte normalisht, me ato zhurmat dhe lëvizjet e zakonshme që shoqërojnë çdo ditë në transportin publik. Por gjithçka ndryshoi në momentin kur autobusi ndaloi në stacionin pranë rrethrrotullimit të Saukut… dhe nuk u nis më. Fillimisht mendova se ishte një ndalesë e zakonshme, por shpejt kuptova se diçka nuk shkonte. Shikoja njerëzit që zbrisnin, disa largoheshin me ngut, të tjerë rrinin jashtë, dukshëm të shqetësuar. Nga kurioziteti, dola edhe unë nga autobusi për të parë se çfarë po ndodhte. Aty mësova se njërit prej pasagjerëve i kishte rënë të fikët dhe situata dukej serioze. Dikush kishte njoftuar ambulancën, por ajo ende nuk po vinte. Ndërkohë, disa persona po përpiqeshin të ndihmonin, secili në mënyrën e vet dikush telefononte përsëri urgjencën, të tjerë merreshin me të sëmurin, dhe disa thjesht vërtiteshin përreth, të paqartë për çfarë të bënin. Për fat të mirë, në autobus ndodheshin disa studentë të mjekësisë që menjëherë morën situatën në kontroll dhe nisën të jepnin ndihmën e parë. Koha kalonte ngadalë, çdo minutë ndjehej si një orë. Prisnim me ankth ardhjen e ambulancës. Vetëm pas rreth 45-50 minutash, më në fund mbërriti ambulanca dhe mori nën kujdes personin e sëmurë. U lehtësuam të gjithë. Pas kësaj, autobusi u nis përsëri dhe dita vazhdoi, por nuk ishte më një ditë e zakonshme.
Një banore të Njësisë Administrative Nr. 10, ndau një eksperiencë të ngjashme që kishte përjetuar me shoqet e saj. E.XH tregoi se njëra prej tyre kishte humbur ndjenjat një mbrëmje në shtëpi dhe të tjerat, të tronditura, kishin thirrur menjëherë ambulancën. “ Telefonuam ambulancën si të vetmen mundësi që kishim në ato momente dhe po prisnim me sytë nga telefoni.”– tregoi ajo. Megjithatë, theksoi se ambulanca ishte vonuar rreth 15 minuta dhe, pas një telefonate tjetër për ndihmë, iu kërkua që të prisnin sërish duke thënë: “Sa të na mbaj rruga do të vonohemi”– kur vajzat kishin pyetur edhe sa do të presim. Në total, vonesa zgjati rreth 30 minuta edhe pse shtëpia ndodhej në qendër të qytetit, kjo kohë pritjeje u ndje edhe më e gjatë dhe më shqetësuese për shkak të gjendjes së vajzës së sëmurë. “Ne ndodhemi shumë pranë qendrës së qytetit dhe pritëm aq gjatë, po pjesa tjetër që ndodhen në periferi si ja bëjnë në këto raste?”. Sipas saj, kjo përvojë krijoi pasiguri dhe panik, pasi çdo minutë ndjehej si një kërcënim për shëndetin e mikeshës së tyre. Edhe pse nuk i dinin arsyet konkrete të vonesës, ishin të bindura se reagimi i ambulancës nuk ishte në nivelin që pritej dhe se ky shërbim duhet të përmirësohet për të shmangur pasoja të rënda në raste të tjera.
Vëzhgimet në ambientet e qendrës së urgjencës pranë QSUT-së përshkruajnë më mirë situatën në terren. Për rreth një orë pranë daljes së ambulancave uregjistruan lëvizjet e tyre. Gjatë këtij harku kohor, tre ambulanca u nisën dhe u kthyen nga misionet e tyre. Koha mesatare e kthimit për secilën prej tyre ishte rreth 45 minuta. Kjo nxjerr në pah ngarkesën e madhe me të cilën përballen këto mjete, sidomos në një qytet si Tirana ku trafiku është gjithmonë një pengesë. Gjatë vëzhgimit u vu re edhe mungesën e korridoreve të dedikuara për ambulancat dhe vështirësinë që ato kishin edhe për të dalë nga zona e QSUT-së, një tjetër faktor që ndikon drejtpërdrejt në kohën e reagimit.
Shqipëtarët e përdorin shpesh GoogleMaps për të parë se si ështe gjendja në rrugët që u duhet të përshkojnë përsa i përket trafikut. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe ne duke analizuar me anë të GoogleMaps.
Duke marrë si pikë nisjeje Spitalin e Traumës dhe Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, dhe si destinacion lagje periferike si Astiri dhe Sauku. Vëzhgimii u krye në orën 17:00, kur trafiku është në kulmin e tij. Rezultatet e nxjerra tregonin një kohë udhëtimi që varionte nga 25 deri në 40 minuta, varësisht nga pika e nisjes dhe fluksi i trafikut në atë moment. Kjo kohë përputhej me përvojat e qytetarëve që raportojnë pritje të gjata për ambulancat, madje edhe në zona të afërta me qendrën.
Kjo analizë konfirmoi edhe një herë se trafiku i rënduar është një faktor kyç që ngadalëson shërbimin, veçanërisht në mungesë të një infrastrukture të dedikuar për automjetet e urgjencës.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore raporton një mesatare prej 1,427 thirrjesh dhe 440 misione në ditë, ndërkohë që gjatë sezonit turistik kjo shifër mund të arrijë deri në 2,000 thirrje. Kjo tregon një ngarkesë të madhe mbi sistemin dhe një nevojë të vazhdueshme për burime të reja. Megjithëse raportet zyrtare pretendojnë se koha mesatare e reagimit në zona urbane është rreth 15 minuta, realiteti në terren tregon shifra më të larta. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nga një raport i vitit 2018 bën të ditur se nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore (QKUM) ka vetëm 41 nga 74 ambulanca janë funksionale në të gjithë vendin, dhe ka një mungesë të theksuar të personelit të trajnuar. Po ashtu, mjekë dhe punonjës të tjerë të urgjencës raportojnë se shpesh një ambulancë mbulon disa lagje njëherazi, duke bërë të pamundur reagimin e shpejtë në të gjitha rastet.
Gjatë kohës së pandemisë, në vitin 2021 kryeministri Edi Rama inaguroi 36 autoambulanca në të gjithë vendin për të siguruar një shërbim më të mirë për pacientët. Por çfarë ndihmese po japin këto autoambulanca sot askush nuk e di.
Gjatë vitit 2024, në qarkun e Tiranës sipas raporteve të dërguara nga Ministria e Finaancave nga kërkesa për informacion janë shtuar paisje të reja në ambulanca. 10 autoambulanca janë pajisur me pajisje të avancuara për reanimacion, ndërsa 10 të tjera janë pajisur me pajisje për urgjencë mjekësore si monitorë, defibrilatorë, ventilatorë dhe infuzorë. Gjithashtu, janë përshtatur 4 autoambulanca të tipit 4×4 për terrene të vështira, të cilat janë shpërndarë në zonat malore të qarkut, duke përfshirë periferitë e Tiranës. Këto investime janë bërë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, e cila është modernizuar me Call Center, serverë dhe linja të dedikuara oksigjeni, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e reagimit në rastet emergjente.
Aktualisht, disponohen vetëm 7 autoambulanca për të mbuluar një qytet me mbi 800,000 banorë, ndërsa stafi përbëhet nga rreth 120 punonjës, përfshirë mjekë, infermierë dhe shoferë. Kjo situatë ka çuar në mbingarkesë të personelit dhe vonesa në ofrimin e ndihmës emergjente, duke rrezikuar jetën e pacientëve. Në përpjekje për të përmirësuar këtë gjendje, në vitin 2022, Ministria e Shëndetësisë njoftoi shtimin e 20 autoambulancave të reja në flotën e Urgjencës Shëndetësore Kombëtare, me një investim prej 420 milionë lekësh. Këto mjete janë shpërndarë në të gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën, me qëllim përmirësimin e reagimit ndaj emergjencave mjekësore .
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *