Të udhëtosh nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas

Shqiptarët të ndarë në dy shtete të ndryshme, për gati një shekull kanë hasur vështirësi në komunikimin mes tyre, në krijimin e marrëdhënieve dhe në çdo aspekt tjetër të ndërveprimit shoqëror. Këto probleme shkuan deri aty sa gjatë periudhës komuniste komunikimi mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit u ndërpre plotësisht. Kufijtë ishin mbyllur!

Shqiptarët të ndarë në dy shtete të ndryshme, për gati një shekull kanë hasur vështirësi në komunikimin mes tyre, në krijimin e marrëdhënieve dhe në çdo aspekt tjetër të ndërveprimit shoqëror. Këto probleme shkuan deri aty sa gjatë periudhës komuniste komunikimi mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit u ndërpre plotësisht.

Kufijtë ishin mbyllur!

E vetmja mundësi për t’i kaluar këto kufij ishte “arratisja”. Pas viteve ‘90, me rënien e komunizmit në Evropë dhe pas shumë peripecive që ndodhën në Ballkan, komunikimi  midis dy vendeve filloi të përmirësohej dhe të shtohej, që në atë kohë u krijuan edhe agjencitë e para të udhëtimeve.

Rruga qe ndiqej më shumë nga qytetarët e të dy vendeve ishte ajo përmes tokës. Megjithëse hyrjet e daljet u bënë më të shpeshta gjatë këtyre viteve, përsëri  rruga në vetvete mbetej një problem shqetësues. Përveç se duheshin 12 orë (a më shumë) të mundimshme për ta përshkuar këtë rrugë dhe për të arritur nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas, kjo nuk ishte gjithçka!

Rruga në shumë pjesë gjarpëronte përmes shpateve të maleve  dhe buzë humnerave të cilat shumë udhëtarë i kujtojnë me frikë dhe për të mos mjaftuar kjo, infrastruktura ishte e shkatërruar. Për të përshkuar këtë rrugë të mundimshme mjetet e transportit që përdoreshin më shumë ishin autobusët privatë për të cilët duhej prerë bileta me çmim 25-30 euro vajtje-ardhje, që do të thotë një kosto relativisht e lartë për udhëtarin.

Po sot, a është e njëjta gjendje?

Fatmirësisht, që me ndërtimin e aksit Durrës-Kukës-Morinë, që ishte një nga investimet më të mëdha të qeverisjes së kaluar në Shqipëri, gjërat ndryshuan ndjeshëm, natyrisht për mirë. Udhëtimi tashmë i ngjan më shumë një ekskursioni të këndshëm, ku maksimumi për më pak se 4 orë përshkohet e gjithë rruga, e cila në të gjithë shtrirjen e saj është e asfaltuar plotësisht dhe me standardet e një autostrade. Kjo natyrisht ka ndikuar dhe në uljen e çmimit që tashmë është vetëm 15 euro vajtje-ardhje.

Intervista të realizuara me pronarë agjencish në Tiranë dhe udhëtarë që bëjnë rrugën Tiranë-Prishtinë dhe anasjelltas, tregojnë se shërbimi i ofruar nga agjencitë është mjaft i mirë, ka orare të përshtatshme, çmimet janë të kënaqshme dhe po ashtu  ka autobusë edhe për destinacione të tjera përveç Prishtinës.

Ata gjithashtu shprehen se, ndërsa në Prishtinë e kanë një pikë ndalimi që është stacioni qendror i Prishtinës, në Tiranë nuk ndodh e njëjta gjë, ku për shkak të mungesës së stacioneve autobusët janë të detyruar të ndalojnë skaj rrugës, kryesisht prapa muzeut apo në bulevardin Zogu i Parë.

Më së shumti këtë rrugë e përshkojnë studentet, të cilët udhëtojnë 2-3 herë në muaj, si nga Shqipëria për në Kosovë ashtu dhe nga ana tjetër. Megjithatë, ky nuk është ndonjë problem serioz që ndikon tërësinë e udhëtimit, pasi  këto autobusë në çdo kohë të nisjes së tyre janë të mbushur plot e përplot me udhëtarë që lëvizin çdo ditë në të dy anët e kufirit, nga shqiptarë që sot janë më të bashkuar së kurrë!

/Miranda Shala/

 

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar