Më mirë të zgjedhësh një zanat apo të studiosh?

Nga Altin TUFA Një ditë jo si të tjerat. Nga pragu i shtëpisë u nisëm për në një tjetër prag, që as vetë nuk e dinim si do të ishte. Ajo që dinim ishte se ndodhej në hyrje të qytetit historik të Durrësit. Dita shkëlqente nën rrezet e ngrohta të diellit të nëntorit. Na duhej të shkonim tek furgonët e Durrësit për të vazhduar rrugën tonë. Tek stacioni, zërat çjerrës Durrëës! Durrëës! të faturinove sikur na e nxorën plotësisht gjumin. Pas disa minutash u ndez edhe furgoni. Po prisnim të nisej, por thirrjet çjerrëse nuk po pushonin. Dikush nga pasagjerët që ishte aty që para se ne të arrinim, u ngrit dhe filloi me të bërtitura: “O çuno! A do të niseni ju apo çfarë?! Kemi punë ne të tjerët”.  Pasi u erdhën edhe dy pasagjerë të tjerë furgoni u nis. Pasagjerët dukeshin në fytyrë të vrenjtur dhe në duart e çara nga puna e krahut, por në vazhdën e muhabeteve të tyre ishte edhe “halli” i shkollës. Dëgjoje biseda nga më të ndryshmet, nga puna e djeshme e lodhshme me hedhjen e një solete, tek mbrëmja në klubin X të kryeqytetit, për të dalë tek mësimet që kishin për atë ditë. Sipas përshkrimeve të personazhit tonë edhe ne ndaluam në hyrje të Durrësit. Me të zbritur nga furgoni e telefonuam atë, por ende pa u përgjigjur, syri na kapi në të djathtën tonë me një çifteli në dorë Fatmir Bushin, me flokë të gjatë e me mjekër të pa hequr. Jemi përballë shtëpisë së tij dhe i kërkojmë leje të hyjmë në oborr. Ndërkohë që menjëherë tek ne sikur pllakosi një heshtje e çastit pasi pamë atë shtëpi përdhese të palyer e suvatuar nga jashtë, e të ndërtuar pranë një kanali. Përshëndetemi me Fatmirin i cili na uron mirëseardhjen, duke na kërkuar falje për gjendjen në të cilën e gjetëm (i mbuluar nga tallazi i punës me çiftelitë). Pasi u ulëm, vajza e vogël e Fatmirit na shërbeu me shumë mirësjellje. Fatmiri pas largimit të së bijës kthehet nga ne dhe me një zë të mekur e na thotë se, janë një barrë e rëndë… E kishte fjalën për vajzat (!!!), pasi Zoti nuk e kishte gëzuar me asnjë djalë. Ai na thotë se edhe dy vajzave të tjera më të rritura ua kishte ndërprerë shkollën, pasi nuk kishte as mundësi financiare, e as mundësi për t’u shkuar pas. Vajzat, shton ai, janë përgjegjësi shumë e madhe, ndryshe është me djemtë. Ai thotë që edhe vajzës së vogël do të ia ndërpresë shkollën pasi të mbarojë klasën e 9-të dhe do t’i japë zanatin. “Pikturon shumë bukur, edhe për skulpturë është shumë mirë, edhe në punën time më ndihmon. Prandaj e kam shtuar shtëpinë  me këtë bishtin, për t’i krijuar kushte për pikturë, skulpturë dhe ndihmuar mua në punimet e zbukurimeve të çiftelive”, shtoi ai. Ne i thamë se vajza duhet të vazhdojë shkollën, pse jo këto degë që ai përmendte, pasi kështu do të zhvillonte aftësitë e saj. Por ai me një zë të mekur shton: “Duhen lekë për këtë punë, shyqyr po i mbaj me veshje e bukë”. Dukej ashiqare që hallet e kishin kapluar, por shpëtimin e kishte gjetur tek zanati i tij si usta i punimit të veglave popullore tradicionale, çifteli e sharki. Ai ishte një muzikant i vërtetë edhe pse pa kryer asnjë shkollë për këtë. Ishte shumë profesionist në çifteli e sharki, në piano dhe organo, po ashtu edhe në kitarë. Duke gdhendur çiftelinë që kishte në dorë dhe duke e zbukuruar me simbolet tona kombëtare, ai shton, se kjo është diçka që të mbush edhe barkun, por edhe shpirtin. Nuk të lë në baltë dhe pa gjë, edhe pse sot DJ-t kanë dalë si konkurrentë të fortë. Më para, shtoi ustai i nderuar, kishte shumë punë, “vlonte parja”, por tani kriza që ka zënë vendin dhe botën, i ka prekur të gjithë. Nuk bëhen më shumë shpenzime për orkestra në dasma, por marrin DJ. Edhe çiftelitë e sharkitë që punoj janë më të pakta sepse nuk ka shumë kërkesa. I pyetur se nëse e kishte trashëguar nga i ati, siç ndodh në shumicën e herëve, kur babai ia lë zanatin fëmijës, Fatmiri u përgjigj se vjehrri i tij merrej me këtë zanat. “Mua më pëlqente muzika ndaj edhe e “vodha” zanatin, sepse zanati duhet vjedhur. Sot të rinjtë janë të dhënë pas shkollës dhe zanatin e kanë lënë pas dore. Të gjithë dalin juristë, gazetarë siç edhe ju do të bëheni, jeni por do të bëheni të mëdhenj, ekonomistë për të përfunduar të gjithë politikanë”, shton me të qeshur Fatmiri. “Unë nuk dua të humb as zanatin, as traditën, e as kulturën e vendit tim, kjo është një përpjekje e vogël edhe për ta ruajtur atë, por edhe për të fituar të ardhura për një jetë normale”. Ndërkohë që ne e shikonim me zili përkushtimin e tij në punimin dhe zbukurimin e instrumenteve popullore, ai vazhdonte  fliste për bukurinë e zanatit. “Sot zanatet po “vdesin”, bashkë me ta edhe zanatçinjtë. Profesionistë të mirëfilltë janë pak”, thotë personazhi ynë. Në jetë mund të bësh gjithçka, edhe kuzhinierin, kamarierin, mund të shkosh edhe jashtë. Mund të bësh 1000 zanate, por një gjë esenciale do të ishte profesionalizmi. Sa çohet një nisëm deri në fund dhe si çohet është një pikëpyetje që mund të ngrihet nga të gjithë, më shumë nga ata që bëjnë  një zgjedhje dhe më pas mërziten me të dhe qëndrojnë diletant. Kjo fatkeqësisht ndodh rëndomtë me të rinjtë e sotëm në Shqipëri. Qëndron problemi tek ata, te prindërit apo te mësimdhënësit, kjo është një pikë tjetër që ja vlen të shihet më me kujdes nga të gjitha palët. Për ta parë në një këndvështrim tjetër problemin, në folëm me z. Naim Çano, inxhinier mekanik transporti, mësues në degën e mekanikës në shkollën e mesme teknike “Harry Fultz”. Ai shprehet se për përzgjedhjen e karrierës nuk mjafton vetëm dëshira për një profesion të caktuar. “Duhet bërë edhe një llogari e thjeshtë e aftësive që ka një njeri dhe sa është i aftë të jap ai. Në broshurën për këshillimin e karrierës maturantët, por edhe nxënësit e klasave më të ulëta, mund të kuptojnë se ku qëndrojnë në shkallët e aftësive nëpërmjet një testi të thjeshtë. Ka nga ata studentë që kanë mbaruar shkollën e lartë dhe janë diplomuar në universitetet e Tiranës në degë të ndryshme, por i ke të gjithë në rrugë. Pjesa më e madhe e tyre janë të pakënaqur nga zgjedhjet që kanë bërë dhe për të mos e lënë zgjedhjen që kanë bërë në gjysmë e vazhdojnë me shpresën, “hë se do të ndryshojnë gjërat në tregun shqiptar”, tregon z. Naim Çano. mesim Ai thekson se tregu shqiptar ka nevojë për një mirëstrukturim të studentëve që mbarojnë universitetin për degë të ndryshme edhe pse ata nuk e gjejnë veten fare aty. “Do ishte mirë të gjendej një mënyrë që gjatë përzgjedhjes së degëve nga studentët, një rol më serioz, e më i rëndësishëm të luhej edhe nga profesorët. Ata e kuptojnë më mirë aftësinë e studentit të tyre. Këtu në shkollën ku unë jap mësim njoh disa studentë që kanë mbaruar në Universitetin e Tiranës për inxhinieri mekanike, elektrike apo informatike në pesë vjet, pra janë diplomuar në këto degë dhe përsëri nuk janë të aftë të dalin në punë. Disa prej tyre kanë ardhur të ndjekin kurset në shkollën tonë për degët përkatëse”, thotë z. Çano. mesim 2 Ai shton më tej, se në tregun shqiptar vërehet një mungesë profesionalizmi, nuk ka zanatali dhe kemi një mbizotërim të amatorëve. Sipas tij, të shumtë janë ata që bëjnë zgjedhje të nxituara, pa pasur parasysh atë çka ata kanë në bagazhin e tyre, prirjet e tyre dhe sa dinë t’i japin ato. “Po vjen një ditë ku të gjithë po përplasen në rrugë. E nisin karrierën e tyre për diçka dhe e përfundojnë për tjetër gjë, dhe përsëri nuk janë të kënaqur kur e bëjnë atë punë, mezi presin të largohen nga ajo”, shton me tej z. Çano. Sugjerimi i tij është se ne duhet të këmbëngulim drejt zanateve, duhet të orientohemi drejt atyre profesioneve që ka vende pune dhe që janë më pak të kërkuara. “Fundja e fundit, shkolla bëhet me qëllimin për të gjetur punë”. Nga bisedat me persona të ndryshëm lidhur me këtë temë, konkluzionet janë se kohë më të vështira po vijnë dhe duhet t’i paraprihet situatës. Ne duhet të dalim nga idealizmi dhe të kthehemi në realitet. Realiteti është një fakt i pakundërshtueshëm! Shkollat nuk duhet të kthehen në makineri apo fabrikë robotësh amatorë.   Pse duhet të bësh një shkollë kur dijen s’do e vësh kurrë në praktikë, pasi ke harxhuar jetën tënde, lekët e familjes për plot 5 vjet dhe s’të hynë në punë fare. Shtrohet kjo pyetje pasi të gjithë po shkojnë në shkollë, por për çfarë shkojnë dhe çfarë synojnë, është një pyetje pa përgjigje për shumë studentë. student2 Ejupi, student i shkencave të komunikimit, shprehet se zgjedhja që ka bërë nuk është një rastësi, por është një nga vendimet më të rëndësishme të tij, pasi sakrifikoi  2 vite në degën e fizikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. “Zgjedhja e parë ishte një dëshirë e imja, por jo përfundimtare, pasi kisha dhe degë të tjera në listën e zgjedhjeve. Këmbëngulja e tw afwrmve që unë të filloja për fizikë ishte mjaft e madhe, veçanërisht profesori i fizikës në shkollën e mesme luajti një rol shumë të rëndësishëm për zgjedhjen e degës sime. Pas provimeve të maturës çështja që më mundonte më shumë ishte zgjedhja mes fizikës dhe biologjisë. Pas konsultimeve të shumta me familjen dhe me njerëz të tjerë të lidhur ngushtë me të, përfundimisht  zgjodha të studioj për fizikë.” Ai shton më tej se, “gjatë vitit të parë u përballa me një ambient shumë ndryshe nga se e prisja, marrëdhënia profesor-nxënës pothuajse nuk ekzistonte fare. Orët e mësimit zhvilloheshin kur dhe ku të donte profesori dhe nuk kishte një rregull në fakultet, interesi i përkushtimit të profesorëve ndaj nxënësve nuk ekzistonte. Këto ishin disa nga arsyet pse mua më humbi dëshira për të studiuar. Asgjë nuk më terhiqte më për fizikën. Tashmë për mua fizika ishte ndryshe nga ajo e shkollës së mesme, fillova ta urreja. Më pas vendosa ta ndërroj degën dhe të gjeja diçka që më pëlqente dhe vendosa të studioj për shkenca komunikimi. Një vendim që jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që e mora.” “Në këtë zgjedhje të dytë, e them me plot gojën që kam gjetur veten plotësisht. Një rëndësi të madhe ka edhe zgjedhja e profesionit, jo në bazë të të ardhurave që ka, por duhet lidhur ngushtë me atë që ti pëlqen të bësh. Duhet një menaxhim shumë i hollësishëm në këtë çështje. Shpresojmë që dikush ‘ta vër ujin në zjarr’, duke filluar nga studentët, prindërit, profesorët, drejtuesit e arsimit, si dhe shoqëria në tërësi. Ne duhet të shkollohemi me qëllim për të gjetur punë nesër, ky është një nga qëllimet që çdo i ri ja vendos vetes së tij”, mbyll mendim e tij studenti i shkencave të komunikimit, Ejupi.]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar